1929 / “Pajtimi i gjaqeve, një detyrë e vështirë me të cilën po përballet Mbreti Zog. Në rast suksesi, do të jetë një arritje e madhe...” — Rrëfimi i Charles C. Hart (Ambasador i SHBA-ve në Tiranë)


Charles Calmer Hart (1878 – 1956)
Charles Calmer Hart (1878 – 1956)

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 18 Qershor 2023

 

“The Chicago Tribune and the Daily News” ka botuar, të shtunën e 9 shkurtit 1929, në faqen n°3, rrëfimin e Charles C. Hart (Ambasador i SHBA-ve në Tiranë) mbi krimet dhe gjakmarrjet në Shqipëri, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

 

Kur i varin në Shqipëri, ndodh për së vërteti

Jo si në kohët e vjetra kur burrat e “vdekur” riktheheshin

 

Burimi : The Chicago Tribune and the Daily News, e shtunë, 9 shkurt 1929, faqe n°3
Burimi : The Chicago Tribune and the Daily News, e shtunë, 9 shkurt 1929, faqe n°3

Banditizmi nuk është më sporti i preferuar në natyrë në Shqipëri, raporton zoti Charles C. Hart, ministër amerikan në vendin e Mbretit Zog, i cili lundroi dje për në shtëpinë e tij në Shtetet e Bashkuara.

 

“Në kohët e vjetra,” tha zoti Hart, “kriminelët, të cilët me sa duket ekzekutoheshin, kishin një zakon të çuditshëm që të vinin në jetë përsëri pas disa muajsh. Pak para (të holla) i zgjidhnin gjërat me xhelatin. Sot, kur varet një bandit, ai qëndron i varur. Ata e lënë të varur në një vend publik me një pankartë që mban listën e krimeve të tij të lidhur në qafë. Banditizmi është bërë mjaft i pashëndetshëm.”

 

Megjithatë, në mënyra të tjera, vendi nuk është aq i avancuar, sipas përshkrimit të zotit Hart. Në fakt, duhet të jetë një strehë ideale për ata që nuk e pëlqejnë përparimin dhe modernitetin. Nuk ka asnjë pjesë hekurudhe në të gjithë mbretërinë. Puse pak a shumë të pastër përbëjnë furnizimin me ujë. Hoteli më i mirë në Tiranë ka një vaskë, por në shumicën e rasteve nuk mund të përdoret nga mungesa e ujit. Gomerët përbëjnë burimin kryesor të transportit.

 

“Kur ngjitesh në male,” vazhdoi zoti Hart, “ju duket sikur jeni kthyer në ditët e Dhiatës së Vjetër. Malësorët jetojnë si patriarkë në fise. Ata mezi e dinë se çfarë është paraja. Malësori shqiptar gërvisht një copë toke, jeton me bukën e trashë të misrit që e bën vetë dhe për luks qëllon gjahun, ther herë pas here një pulë të dobët ose një dele.

 

Janë mikpritës.

 

“Mikpritja” është pjesë e fesë së tij. Kur një i huaj kalon pragun e derës së tij, ai varfërohet për një vit për ta mirëpritur. Gratë mbajnë mbulesë por nuk janë të izoluara. Niveli i moralit është shumë i lartë dhe nderi i gruas është punë e gjithë fisit të saj. Një burrë jobesnik ka të ngjarë të qëllohet nga anëtari i parë i fisit të gruas së tij që e has në kalim.

 

“Kështu nis shumica e gjakmarrjes. Shqiptarët nuk janë në të vërtetë një popull i egër apo hakmarrës, por janë tepër të gatshëm me armët e tyre. Një fshatar malësor nuk e vë kurrë këmbën jashtë shtëpisë së tij pa pushkën e varur në shpinë. Nëse ofendohet ose ka ndonjë lloj mosmarrëveshjeje, ai nuk mund të mendojë për ndonjë mënyrë për ta zgjidhur atë, përveçse të qëllojë kundër kundërshtarit të tij. Është pothuajse një çështje zakoni me të. Motoja e tij duket të jetë: ‘Në rast dyshimi, gjuaj!’ Më pas, zakonisht i vjen shumë keq.

 

“Pajtimi i gjakmarrjes (gjaqeve) është ndoshta detyra më e vështirë që përballet Mbreti Zog. Ai ka një plan për të pajtuar malësorët që grinden me shtrëngimin ceremonial të duarve dhe më pas për t’i çarmatosur. Nëse ai ka sukses në këtë, do të jetë një gjë e madhe për vendin.”

 

 

* Çdo gazetë online apo print, çdo portal që merr këtë shkrim duhet të citojë autorin në fillim (Nga Aurenc Bebja, Francë) dhe burimin e informacionit në fund (Blogu © Dars (Klos), Mat – Albania), si dhe të vendosë linkun e burimit : https://www.darsiani.com/la-gazette/1929-pajtimi-i-gjaqeve-nje-detyre-e-veshtire-me-te-cilen-po-perballet-mbreti-zog-ne-rast-suksesi-do-te-jete-nje-arritje-e-madhe-rrefimi-i-charles-c-hart-ambasador-i-shba-ve-ne-tirane/. Në rast të kundërt mos e publiko.

 

 

Publikuar në :

 

https://gazetadielli.com/1929-pajtimi-i-gjaqeve-nje-detyre-e-veshtire-me-te-cilen-po-perballet-mbreti-zog-ne-rast-suksesi-do-te-jete-nje-arritje-e-madhe-rrefimi-i-charles-c-hart-ambasador/

 

https://americaneye.al/ambasadori-i-shba-ne-tirane-me-1929-pajtimi-gjaqeve-detyra-me-e-veshtire-qe-perballet-mbreti-zog-nese-ia-del/

 

https://bulevardionline.com/1929-pajtimi-i-gjaqeve-nje-detyre-e-veshtire-me-te-cilen-po-perballet-mbreti-zog-rrefimi-i-charles-c-hart/

 

https://www.botasot.info/historia-lajme/2009549/1929-pajtimi-i-gjaqeve-nje-detyre-e-veshtire-me-te-cilen-po-perballet-mbreti-zog-rrefimi-i-charles-c-hart/

 

https://alb-spirit.com/2023/06/18/ambasadori-shba-pajtimi-gjaqeve-ne-kohen-e-mbreterise/

 

https://vloranews.al/lajme/1929-pajtimi-i-gjaqeve-nje-detyre-e-veshtire-me-te-cilen-po-perballet-mbreti-zog-rrefimi-i-charles-c-hart/