Parlamenti i hershëm shqiptar (Foto).Pamje ekskluzive nga një seancë plenare.



Avni Dani, Tiranë – 9 Shtator 2017

 

Jeta parlamentare në Shqipëri ka nisur në një ndërtesë që ekziston edhe sot në Tiranë (shiko fotot). Një dykatëshe e bukur me kolona të larta, e dekoruar me flamurin kombëtar dhe një tabelë ku shkruhej “Parlamenti”. Në brendësi siç edhe shihet në fotot e marra nga arkivi gjerman, një sallë modeste. Në ballë të sallës së seancave një portret i madh i Skëndërbeut. Mure të veshura, tryeza modeste të ndara në dy grupe dhe lozhat funksionale. Ngrohja ishte me sobë. Kjo është pamja e sallës ku janë ulur njerëzit më të ditur të vendit në atë kohë. Për nivelin e tyre e kotë të flitet, mjafto të kujtosh vetëm dy emra: Gjergj Fishta e Fan Noli, që sigurisht kanë patur plot “konkurentë”, patriotë, të ditur e të mirëshkolluar.

 

Ndërtesa e Parlamentit të dikurshëm sot është Teatër Kukullash. Pas një urrejtje patologjike për “baballarët” e parë të Kombit, një mendje djallëzore, gjatë viteve të diktaturës, mori atë vendim. Një metaforë tallëse që vazhdon edhe sot...

 

... Sot, e shtunë, më 9 shtator, mblidhet për herë të parë Kuvendi i ri i Shqipërisë. Nis Legjislatura e tij e nëntë. Ndërtesë më e madhe e sallë luksoze. Ka nga ata që thonë se sot fillon Teatri i vërtetë i Kukullave. Është një këndvështrim. Unë për vete nuk thashë gjë.

 

 

© Avni Dani 

Blogu : Dars (Klos), Mat – Albania